| Forumi në Aerodrom vendosi të zëvendësohen dritaret në shkollë |
|
|
| e enjte , 15 prill 2010 | |
Pas mbajtjes së shtatë sesioneve në po kaq muaj, pas përpunimit dhe prezantimit të pesë projekteve me votim të papërcaktuar, banorët e Komunës së Aerodromit që morën pjesë në Programin “Forume në bashkësi” vendosën të investojnë mbi 100 mijë euro për zëvendësimin e dritareve në shkollat tetëvjeçare “Bllazhe Koneski”, “Vëllezërit Milladinovci” dhe “Goce Dellçev”, si edhe në kopshtin “Srniçka-Izvorçe” (Sorkadhja-Burimi).![]() Ky projekt, vlera e përgjithshme e të cilit është vlerësuar të jetë 109.150 euro, do të financohet nga Buxheti i Programit. Rreth 66 mijë euro siguron Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), kurse pjesën tjetër të mjeteve do ta sigurojë komuna. Banorët e Aerodromit përpunuan edhe katër projekte të tjera, ato janë: Riparimi i dyshemeve në tri shkolla dhe në një kopsht; Rregullimi i oborreve në institucionet arsimore dhe edukative, Furnizimi me pajisje të kabineteve për përmirësimin e kushteve të mësimit, si dhe Ndërtimi i terrenit sportiv në shkollën tetëvjeçare rajonale “Goce Dellçev” në Dollno Lisiçe, ku nuk ka asnjëfarë kushtesh për sport dhe rekreacion. Megjithatë, në fund fitoi projekti për dritaret, me 36 pikë të marra gjithsej, para projekteve për pajisje me 31, për dyshemetë me 28, për fushën e lojërave me 24 dhe për oborret me 16 pikë. Projekti fitues nënkupton demontimin e dritareve ekzistuese të shkollave dhe kopshtit të përzgjedhur, blerjen dhe vendosjen e dritareve të reja, të përpunuara me materiale PVC. Qëllimet që duhet të arrihen janë: përmirësimi i ngrohjes dhe izolimi ndaj zhurmave, si dhe kursimi i energjisë. Fitim të drejtpërdrejtë prej zbatimit të tij do të kenë 1.792 nxënës gjithsej, 257 fëmijë në kopshte, kuadri arsimor, kuadri edukator dhe të punësuarit e tjerë, kurse fitim indirekt do të kenë prindërit dhe e gjithë bashkësia, sepse këto institucione do të shpenzojnë më pak për ngrohje. Sesionet e Programit “Forume në bashkësi” u mbajtën prej 28 tetorit të vitit 2009 në korridorin e shkollës tetëvjeçare “Gjorgjija Puleski” dhe në to morën pjesë midis 100 dhe 200 qytetarë. Aerodromi ishte një prej 12 komunave në të cilat në të njëjtën periudhë është zbatuar ky Program. Shpenzimet financiare i mbuluan SDC-ja dhe Komuna e Aerodromit, kurse Programin e zbatoi Qendra Maqedonase për Marrëdhënie Ndërkombëtare (QMMN) dhe administrata e komunës, nëpërmjet grupit operativ në përbërjen e të cilit kishte përfaqësues edhe prej organizatave joqeveritare, prej sektorit të biznesit dhe prej mediave. Të drejtë pjesëmarrjeje kishte çdo banor i komunës që ka mbushur 16 vjet. Forumi ishte mundësi që vetë qytetarët pjesërisht të udhëheqin me komunën e vet dhe të vendosin se në cilin projekt të shpenzohet shuma e caktuar e parave. Tema “arsimi” u përzgjodh në Sesionin e Parë të Forumit në Komunën e Aerodromit, prandaj edhe projektet që u përpunuan më vonë ishin për përmirësimin e kushteve të shkollave dhe kopshteve. |
| < I mëparshmi | Tjetri > |
|---|