Rreth 110 banorë të Bogovinës morën pjesë në Sesionin e Parë të Forumit që u mbajt më 16 tetor në restorantin “Floar”, në suazat e Programit “Forume në bashkësi”.
Zhvillimi i ekonomisë është tema që banorët e Bogovinës e përcaktuan si temë me prioritet për përmirësimin e jetës së tyre të përditshme prej tri temave të propozuara nga komuna – Zhvillimi Social dhe Zhvillimi Ekologjik.
Mandej, sesioni e përcaktoi strukturën e Forumit në bashkësi, përkatësisht u formuan 11 tryeza pune të cilat do t’i përfaqësojnë interesat e veta – Arsim, Shëndetësi, Sport/Kulturë, Biznes, Rini, Bujqësi, Infrastrukturë, TI, Këshilltarët e Komunës, Administrata e Komunës dhe të Papërcaktuar.
Sipas kryetarit të komunës, Haybi Idrizi, ekzistojnë disa projekte në suazat e të tri temave që komuna dëshiron t’i realizojë, të cilat kanë të bëjnë me promovimin e komunës, rritjen e punësimit, përmirësimin e infrastrukturës etj.
Ai shprehu kënaqësi për Programin “Forume në bashkësi” si mundësi nëpërmjet të cilës qytetarët vendosin ku do t’i investojnë mjetet e komunës.
Përfaqësuesit e ADI, organizata e cila po e zbaton Programin në Komunën e Bogovinës, Shpend Imeri foli për bashkëpunimin me komunat, për mbikqyrjen e procesit të decentralizimit, si edhe për mbështetjen e iniciativave lokale.
Ky është sesioni i parë prej shtatë sesioneve të Forumit në suazat e procesit të Forumit, i cili prej tetorit të këtij viti mbahet në 12 komuna në Maqedoni, në suazat e ciklit të tretë të fazës së dytë të komunave të përfshira në Program.
Buxheti i përgjithshëm i Programit në këtë komunë është gjashtë milionë denarë, prej të cilëve 4,5 milionë denarë janë Donacion i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), kurse 1,5 milionë denarë janë mjete të Komunës së Bogovinës.
|